Furnizimi me barna në Klinikën e Onkologjisë në Prishtinë mbi 90%

Klinika e Onkologjisë në Prishtinë ka njoftuar se aktualisht furnizimi me barna në këtë klinikë është mbi 90%, duke përfshirë të gjitha produktet esenciale për trajtim.
Sipas njoftimit, mungesat që ekzistojnë lidhen kryesisht me barna të paregjistruara në Kosovë, të cilat nuk kanë autorizim marketingu, dhe për të cilat procedurat e furnizimit janë më të ndërlikuara.
Në Shërbimin e Kimioterapisë të Klinikës së Onkologjisë, çdo ditë trajtohen mbi 200 pacientë, ndërsa në ditë të caktuara ky numër arrin deri në 240. Ndër barnat më të përdorura dhe më të rëndësishme për këta pacientë janë Bevacizumab (i njohur edhe si Avastina) dhe Zoledronic Acid.
Në komunikatën për media, Klinika e Onkologjisë dhe Sektori për Furnizim me Barna kanë bërë të ditur se gjatë dy viteve të fundit, të gjithë pacientët që kanë pasur nevojë për trajtim me Bevacizumab e kanë marrë terapinë në mënyrë të rregullt, me përjashtim të një mungese të përkohshme prej disa ditësh në fillim të këtij viti. Po ashtu, trajtimi me Acid Zoledronik po vazhdon të zhvillohet pa asnjë pengesë apo ndërprerje.
Barnat Bevacizumab (Avastinë) dhe Zoledronic Acid janë të disponueshme në Barnatoren Qendrore dhe në barnatoren klinike të Onkologjisë, dhe furnizimi i tyre mbikëqyret në mënyrë të vazhdueshme për të garantuar trajtim të pandërprerë për të gjithë pacientët në nevojë.