Foshnja 14-muajshe humb jetën në spitalin e Shkupit, prindërit akuzojnë për neglizhencë mjekësore

Foshnja 14-muajshe humb jetën në spitalin e Shkupit, prindërit akuzojnë për neglizhencë mjekësore
06.10.2024

Një foshnje 14-muajshe ka ndërruar jetë të shtunën herët në mëngjes në Klinikën për Sëmundje të Fëmijëve, pjesë e Qendrës Klinike “Nënë Tereza” në Shkup.

Mediat e Maqedonisë së Veriut raportojnë se, sipas stafit të Klinikës dhe dëshmisë së babait të foshnjës, prindërit kishin sjellë disa herë foshnjën në spital, por ishte refuzuar shtrimi për trajtim.

Babai i fëmijës, në një deklaratë për mediat, ka theksuar se foshnja u kthye në shtëpi pa ndihmën e duhur, edhe pse gjendja e saj po përkeqësohej. Pasi nuk arritën ta shtrijnë në spital, prindërit e çuan foshnjën në Spitalin e Kozles, ku gjendja u rëndua më tej, dhe më pas ajo u transferua në njësinë e kujdesit intensiv të Klinikës për Fëmijë. Megjithatë, përpjekjet e mjekëve nuk arritën ta shpëtonin foshnjën, e cila ndërroi jetë për shkak të bronhopneumonisë.

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut gjithashtu ka reaguar në lidhje me këtë rast.

Në deklaratën e MPB-së thuhet: “Sot në SPB – Shkup është raportuar se rreth orës 04:50 në Klinikën për Fëmijë, në Qendrën Klinike ‘Nënë Tereza’, V.S. (29) nga fshati Goshincë dhe vëllai i tij B.S. (35) kanë dëmtuar inventarin e spitalit pas vdekjes së vajzës njëvjeçare të V.S., e cila ishte sjellë me urgjencë në spital rreth orës 03:45. Janë duke u ndërmarrë masa për zbardhjen e plotë të ngjarjes.”

Të fundit

Më të lexuarat