Enët e kuzhinës nga plastika e zezë mund të jenë të rrezikshme për shëndetin

Enët e kuzhinës nga plastika e zezë mund të jenë të rrezikshme për shëndetin
04.11.2024

Një studim i fundit ka zbuluar se substancat toksike të ndaluara, që përdoren për ngadalësimin e djegies, mund të ndotin enët e kuzhinës dhe mjetet për përgatitjen e ushqimit. Studimi u përqendrua në produktet e bëra nga plastika e zezë, e cila shpesh përftohet nga riciklimi i materialeve të përdorura fillimisht në elektronikë, si kutitë e televizorëve.

Kjo plastikë zakonisht përmban përbërës që ngadalësojnë djegien kur përdoret në elektronikë, dhe shqetësues është fakti që këto substanca të dëmshme kimike mund të mbeten në përqendrime të larta edhe pas procesit të riciklimit.

Megan Liu, autorja kryesore e studimit dhe menaxhere për shkencë dhe politika në organizatën “Toxic-Free Future”, theksoi nevojën për rregullore më të ashpra mbi kimikatet që përdoren në materialet e riciklimit.

Rezultatet e studimit

Në studimin e publikuar në revistën Chemosphere, Liu dhe dy kolegë të saj testuan 203 artikuj shtëpiakë të bërë nga plastika e zezë, përfshirë enë për ushqim, tabaka për sushi, tabaka për ushqim të shpejtë, lodra dhe mjete kuzhine.

Ata kërkuan në veçanti për brom, një përbërës i disa substancave që ngadalësojnë djegien, dhe zbuluan se 85% e artikujve të analizuar përmbanin këto substanca, ndërsa 65% përmbanin brom dhe përbërës organofosfat, të lidhur me probleme shëndetësore si kanceri.

Disa produkte, si tabakatë për sushi, spatulat dhe varëset me temë pirate, kishin nivele veçanërisht të larta të këtyre kimikateve. Një varëse përmbante 22,800 mg për kilogram, që përbën 2.3% të peshës së saj totale. Liu theksoi rrezikun, veçanërisht për fëmijët që mund t’i fusin lodrat në gojë.

Ndër përbërësit e zbuluar ishte edhe dekabromodifenil eteri (decaBDE), një lloj bromi për ngadalësimin e djegies që është ndaluar nga Agjencia e Mbrojtjes së Mjedisit (EPA) që nga viti 2021. Agjencia nisi eliminimin e kësaj klase kimikatesh – polibromodifenil eteret (PBDE) – që nga viti 2009 për shkak të toksicitetit të tyre.

Studimet kanë treguar se personat me nivele të larta të PBDE-së në gjak kanë një rrezik më të lartë për t’u prekur nga kanceri.

Prania e vazhdueshme e decaBDE-së në artikujt e shtëpisë tregon një mungesë ndërgjegjësimi nga ana e prodhuesve lidhur me origjinën e plastikës që përdorin dhe paaftësinë e procesit të riciklimit për të larguar kimikatet e dëmshme.

Nivelet e zbuluara të decaBDE-së tejkalonin kufirin e BE-së deri në 1,200 herë, me nivelet e mundshme të ekspozimit të përditshëm të vlerësuara në 35 pjesë për milion.

Paralajmërimet nga ekspertët

Ekspertët si Linda S. Birnbaum, shkencëtare në Universitetin Duke, i konsiderojnë këto zbulime si paralajmërim serioz. Jaimie Ross, profesoreshë e neuroshkencës në Universitetin e Rhode Island, shprehu habinë për praninë e këtyre kimikateve në produktet shtëpiake, për të cilat mendohej se nuk duhej të përmbanin substanca të rrezikshme.

Rreziqet shëndetësore të lidhura me substancat ngadalësuese të djegies ndryshojnë sipas llojit të kimikatit, por dihet se ato akumulohen në trup, duke çuar në probleme serioze si kanceri, çrregullimet neurozhvillimore dhe dëmtimet riprodhuese. Edhe pse janë shfaqur alternativa për decaBDE-në, ato gjithashtu paraqesin rreziqe për shëndetin.

Prodhuesit dhe autoritetet e riciklimit duhet të marrin masa për të eliminuar kimikatet e dëmshme nga produktet shtëpiake, veçanërisht ato për fëmijët ose për përdorim në ushqim. Duke marrë parasysh përdorimin e gjerë të plastikës, shmangia e këtyre materialeve dhe kimikateve të lidhura mund të jetë sfiduese për konsumatorët.

Birnbaum këshillon që të shmanget përdorimi i enëve të zeza plastike për përgatitjen dhe ruajtjen e ushqimit. Nëse ushqimi shërbehet në këto enë, është e këshillueshme të shmanget ngrohja e ushqimit në to dhe të zgjidhen enë prej qelqi ose metali.

Ross inkurajon njerëzit të vlerësojnë përdorimin e plastikës në jetën e tyre të përditshme dhe sugjeron që enët plastike të lahen me dorë në vend që të vendosen në makinën e larjes.

Me objektet jokuqinësore prej plastike të zezë është e nevojshme të tregoni kujdes, veçanërisht për çdo gjë që mund të përdoret nga fëmijët. Edhe pse eliminimi i plotë i përdorimit të plastikës është i pamundur, vetëdija për shmangien e plastikës njëpërdorimëshe mund të ndihmojë në reduktimin e rrezikut.

Të fundit

Më të lexuarat