Dhuna në familje dhe ndikimi në shëndetin mendor – Simpoziumi shkencor sjell qasje ndërdisiplinare dhe thirrje për veprim

Dhuna në familje dhe ndikimi në shëndetin mendor – Simpoziumi shkencor sjell qasje ndërdisiplinare dhe thirrje për veprim
17.05.2025

Në kuadër të muajit të promovimit të shëndetit mendor dhe Ditës Ndërkombëtare të Familjes, Asociacioni i Psikiatrëve të Kosovës organizoi një simpozium shkencor me temën “Dhuna në Familje – Qasje ndërdisiplinare dhe roli i profesionistëve të shëndetit mendor”, duke trajtuar një nga problematikat më të ndjeshme dhe me ndikim të madh në shëndetin mendor të qytetarëve.

Ngjarja bashkoi ekspertë të fushave të ndryshme, përfshirë psikiatër, psikologë, mjekë të mjekësisë familjare dhe përfaqësues institucionalë, për të diskutuar sfidat dhe pasojat e dhunës në familje, si dhe rëndësinë e reagimit të koordinuar profesional.

Simpoziumi u hap nga Dr. Valbona Tafilaj, psikiatre e njohur shqiptare, e cila theksoi se dhuna brenda familjes, në të gjitha format e saj – psikologjike, fizike, emocionale apo seksuale – lë gjurmë të thella në shëndetin mendor të viktimës dhe ndikon negativisht në identitetin dhe zhvillimin afatgjatë të saj.

Gjatë diskutimeve, u theksua nevoja për diagnostikim të hershëm dhe ndërhyrje profesionale, si dhe forcimi i rolit të profesionistëve të shëndetit mendor në identifikimin dhe trajtimin e pasojave që lë dhuna familjare. Po ashtu, u nënvizua se bashkëpunimi ndërdisiplinar është thelbësor, duke përfshirë drejtësinë, arsimin dhe shoqërinë civile, për një qasje të integruar dhe efektive.

Temat që u trajtuan përfshinin:

  • Ndikimin e përjetimeve traumatike në krijimin e cikleve të dhunës;
  • Rolin e faktorëve kulturorë dhe socialë në perceptimin e dhunës;
  • Pasojat në zhvillimin mendor të fëmijëve dhe adoleshentëve që përballen me këtë realitet.

Në përfundim, Asociacioni i Psikiatrëve të Kosovës rikonfirmoi angazhimin e tij për të promovuar shëndetin mendor dhe ngritur kapacitetet profesionale në këtë fushë, duke përçuar mesazhin se “Investimi në shëndet mendor është edhe investim në sigurinë shoqërore.”

Simpoziumi u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt ndërgjegjësimit shoqëror dhe institucional, dhe si një platformë e vlefshme për bashkëpunime të reja në të ardhmen në adresimin e dhunës në familje dhe ndikimit të saj në shëndetin mendor.

Të fundit

Më të lexuarat