CDC: Vetëvrasjet në SHBA mbeten në nivelin më të lartë në histori

Vetëvrasjet në SHBA vazhduan të mbeten në nivelin më të lartë në historinë e vendit vitin e kaluar.
Sipas disa të dhënave paraprake nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), në vitin 2023 u raportuan mbi 49,300 vdekje nga vetëvrasjet. Ky numër që mund të rritet paksa, ndërsa përfundojnë dhe raportohen hetimet për disa vdekje.
Në vitin 2022, u raportuan afro 49,500 raste, sipas të dhënave përfundimtare të publikuara të enjten. Këto shifra janë aq afër njëra-tjetrës, saqë shkalla e vetëvrasjeve për dy të dyja vitet konsiderohet e njëjtë, thanë zyrtarët e CDC-së.
Niveli i vetëvrasjeve në SHBA është rritur për gati 20 vjet, përveç një rënieje në dy vite rreth fillimit të pandemisë COVID-19.
Pra, “mbetja e pandryshuar e nivelit të vetëvrasjeve, është një lajm disi premtues,” thotë Katherine Keyes, një profesore e shëndetit publik në Universitetin e Kolumbias që studion vetëvrasjen.
Në të vërtetë, ka arsye për optimizëm. Një linjë kombëtare krize e krijuar para 2 vjetësh, i jep mundësinë kujtdo në Shtetet e Bashkuara që të telefonojë numrin 988 për të kontaktuar specialistë të shëndetit mendor. Kjo dhe përpjekjet e tjera mund të kenë filluar të japin rezultat, thotë Prof. Keyes, por “mbetet për t’u parë”.
Ekspertët paralajmërojnë se vetëvrasja – shkaku i 11-të kryesor i vdekjeve në vend në vitin 2022 – është një problem i ndërlikuar dhe se përpjekjet për kryerjen e saj mund të nxiten nga një sërë faktorësh. Mes tyre janë nivelet e larta të depresionit, mangësitë në shërbimet e shëndetit mendor dhe armët në dispozicion.
Rreth 55% e të gjitha vdekjeve nga vetëvrasjet në vitin 2022 kishin të bënin me përdorimin e armëve të zjarrit, sipas të dhënave të CDC-së.
Gjetjet kryesore të CDC-së për vitin e kaluar