Kumbullat i përkasin familjes së frutave të njohura si “frutat e gurit” për shkak të bërthamës së fortë në qendër të tyre. Ekzistojnë mbi 20 lloje të ndryshme kumbullash, ndër të cilat dy prej tyre shiten në tregje botërore. Lloji i parë është kumbulla japoneze (Prunus salicina), e cila zakonisht është e madhe, e fortë, me mish të verdhë, dhe ndonjëherë me një nuancë të lehtë të kuqe ose vjollcë. Kumbulla evropiane (Prunus domestica) ka ngjyra të ndryshme dhe zakonisht është e butë dhe lëngshme. Këto dy lloje kanë përbërje të ngjashme ushqyese dhe rriten edhe në vendin tonë.
Kumbullat janë një burim i mirë i vitaminës K dhe përbërjeve fenolike, të cilat lidhen me mbrojtjen e kockave. Kumbullat e thata (thana) janë të pasura me fibra dietike, që ndihmojnë në promovimin e rregullsisë së zorrëve. Përveç kësaj, antioksidantët që gjenden në kumbulla ofrojnë përfitime të tjera shëndetësore.
Mbrojnë nga humbja e masës kockore
Kumbullat e thata (thana) janë një nga frutat më efektive për të mbrojtur dhe ruajtur shëndetin e kockave. Ato janë të ëmbla në mënyrë natyrale dhe nuk përmbajnë sheqer të shtuar, megjithëse përmbajnë më shumë sheqer natyror për gram. Meqenëse janë të dehidratuara, kumbullat e thata janë më të përqendruara në lëndë ushqyese, duke përfshirë përbërjet fenolike, të cilat janë antioksidantë që luajnë një rol të rëndësishëm në shëndetin e kockave. Kumbullat e thata janë gjithashtu të pasura me vitaminë K, që ndikon në përmirësimin e balancës së kalciumit në trup, duke ndihmuar shëndetin e kockave.
Një studim i kohëve të fundit në gra të moshës 18-25 vjeç sugjeron se konsumimi i 50 gram kumbulla të thata çdo ditë mund të mbrojë densitetin kockor te ato që përdorin kontraceptivë oralë. Studimi tregoi se gratë që konsumuan kumbulla nuk përjetuan humbje të konsiderueshme të masës kockore.
Hulumtuesit sugjerojnë se kumbullat e thata mund të ndihmojnë gjithashtu duke promovuar aktivitetin e osteoklasteve, të cilat janë qeliza të rëndësishme për mirëmbajtjen dhe riparimin e kockave, duke kontribuar në ruajtjen e densitetit të tyre.
Mund të ddihmojnë në kontrollimin e kolesterolit
Kumbullat janë burime të pasura të përbërjeve fenolike, substanca që mbrojnë trupin nga dëmtimet e shkaktuara nga stresi oksidativ. Flavonoidet si antocianinat, katekinat, kvercetinët dhe rutinat janë disa nga përbërjet fenolike të pranishme në kumbulla, të cilat ndihmojnë në përmirësimin e profilit të lipideve (yndyrnave) në trup. Për shembull, katekinat kanë treguar se ndihmojnë në përpunimin e yndyrave dhe sheqernave në trup duke përmirësuar rrugët që rrisin energjinë qelizore, gjë që ndikon pozitivisht në nivelet e kolesterolit.
Antocianinat gjithashtu mund të ndihmojnë në uljen e triglicerideve dhe kolesterolit LDL (kolesteroli i keq), të cilët në nivele të larta janë të dëmshëm, dhe në rritjen e kolesterolit HDL (kolesteroli i mirë), që është mbrojtës në nivele më të larta.
Një rishikim i efektit të ekstraktit të kumbullës në kolesterolin LDL në gjak tregoi se suplementimi me kumbulla uli ndjeshëm nivelet e këtij kolesteroli.
Mund të mbështesin nivelet e shëndetshme të sheqerit në gjak
Përbërjet fenolike lidhen me shumë përfitime të tjera kardiovaskulare, duke përfshirë kontrollin e sheqerit në gjak. Katekinat përmirësojnë metabolizmin e yndyrave dhe ndikojnë në mënyrën se si trupi përpunon sheqernat. Si burime të pasura të polifenoleve, përfshirë katekinat, kumbullat mund të tregojnë cilësi antidiabetike. Hulumtimet gjithashtu sugjerojnë se niveli i lartë i filokinonit (vitamina K1) te kumbullat mund të mbështesë rregullimin e glukozës dhe insulinës, duke mbajtur nën kontroll sheqernat në gjak.
Lehtësojnë kapsllëkun
Kumbullat e thata (thana) kanë cilësi që ndihmojnë në përmirësimin e lëvizjeve të zorrëve. Disa studime sugjerojnë se kumbullat e thata mund të jenë më efektive se psilliumi për lehtësimin e kapsllëkut. Ato janë të pasura me fibra dietike, duke përfshirë fibra të tretshme, pektin dhe celulozë, të cilat stimulojnë zorrët duke rritur ujin dhe sasinë e mbeturinave në trup, gjë që lehtëson kalimin e tyre. Përmbajtja e sorbitolit (alkool sheqeri) në kumbullat e thata mund të ndihmojë gjithashtu në promovimin e rregullsisë.
Mbështesin funksionet kognitive dhe kujtesën
Kumbullat janë burime të karotenoideve, veçanërisht luteinës dhe zeaksantinës, të cilat lidhen me kujtesën dhe funksionet kognitive. Kumbullat e thata kanë përqendrim të lartë të këtyre lëndëve ushqyese, duke ofruar potencial shtesë për shëndetin e trurit. Këto karotenoide janë të pranishme në tru dhe marrja e tyre përmes një diete të pasur me fruta dhe perime, përfshirë kumbullat, mund të ndihmojë në parandalimin e rënies së funksioneve mendore.
Vlerat ushqyese të kumbullave
Më poshtë janë vlerat ushqyese të kumbullave të freskëta (për 100 gramë):
- Kalori: 46
- Yndyrna: 0.28 gramë
- Natrium: 0 miligramë
- Karbohidrate: 11.4 gramë
- Fibra: 1.4 gramë
- Proteina: 0.7 gramë
- Vitamina K: 6.4 mikrogramë (5% e vlerës ditore)
- Lutein dhe zeaksantinë: 73 mikrogramë
Kumbullat e thata (thana) kanë përqendrim më të lartë të këtyre lëndëve ushqyese për shkak të dehidrimit. Për 100 gramë kumbulla të thata, përmbahen 7.1 gramë fibra, 59.9 mikrogramë vitaminë K dhe 148 mikrogramë luteinë dhe zeaksantinë.
Fibra dietike mbështet rregullsinë e zorrëve, vitamina K kontribuon në shëndetin e kockave dhe rregullimin e sheqerit në gjak, ndërsa luteina dhe zeaksantina lidhen me shëndetin e trurit.