Bashkëpunim në shërbim të dinjitetit: “Rezonanca” dhe “Handicap Kosova” me marrëveshje për lehtësimin e qasjes në shërbime shëndetësore

Bashkëpunim në shërbim të dinjitetit: “Rezonanca” dhe “Handicap Kosova” me marrëveshje për lehtësimin e qasjes në shërbime shëndetësore
17.05.2025

Në një akt që simbolizon solidaritetin dhe përkushtimin ndaj barazisë sociale, është nënshkruar një memorandum bashkëpunimi ndërmjet Alma Mater Europaea – Campus Poliklinika “Rezonanca” dhe Shoqatës së Personave me Paralizë të Fëmijëve “Handicap Kosova”.

Kjo marrëveshje parasheh zbritje prej 50% në të gjitha shërbimet mjekësore të “Rezonanca”-s për anëtarët e Shoqatës, duke i mundësuar kështu një nga kategorive më të ndjeshme të shoqërisë një qasje më të lehtë dhe të përballueshme ndaj kujdesit shëndetësor.

Në emër të Poliklinikës “Rezonanca”, memorandumi u nënshkrua nga znj. Atije Idrizaj, drejtoreshë e Alma Mater Europaea – Campus Rezonanca, ndërsa nga Shoqata “Handicap Kosova” z. Jakup Vitia, drejtori ekzekutiv, i cili prej vitesh angazhohet në përkrahjen dhe fuqizimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara në Kosovë.

Kjo marrëveshje jo vetëm që ul barrierat financiare për familjet e prekura, por dërgon një mesazh të fortë për gjithë shoqërinë: shëndeti është e drejtë, jo privilegj. Dhe një shoqëri e drejtë është ajo që nuk i sheh fëmijët me aftësi të kufizuara si barrë, por si pjesë të vlefshme dhe të barabartë të saj.

Z. Vitia e vlerësoi këtë bashkëpunim si një shembull frymëzues i përgjegjësisë shoqërore në sektorin privat shëndetësor, duke theksuar se “ky partneritet tregon se ndryshimi është i mundur kur vullneti dhe humanizmi takohen”.

Fëmijët me paralizë përballen çdo ditë jo vetëm me sfida fizike dhe mjekësore, por edhe me paragjykime dhe mospërfshirje. Ata kanë nevojë për kujdes profesional, por edhe për pranim, dashuri dhe dinjitet.

Memorandumi do të jetë i vlefshëm për një afat të pacaktuar dhe përfshin mundësi për bashkëpunime të mëtejshme, duke vendosur një bazë të fortë për ndërtimin e shërbimeve gjithnjë e më gjithëpërfshirëse.

Ky akt është më shumë se një marrëveshje – është një angazhim për drejtësi sociale, për një shoqëri që e sheh secilin fëmijë si të vlefshëm dhe që punon për të krijuar mundësi të barabarta për të gjithë.

Të fundit

Më të lexuarat