Ambasadorja e Holandës viziton QKUK

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, së bashku me Drejtorin e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Elvir Azizi, mirëpritën Ambasadoren e Holandës në Kosovë, znj. Karin Boven, në një vizitë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Në këtë vizitë, ambasadorja shoqërohej nga një delegacion i Qendrës Klinike Universitare “Princesha Maxima” nga Holanda, në kuadër të bashkëpunimit me organizatën “Care For Kosova Kids”.
Organizata “Care For Kosova Kids” ka luajtur një rol të rëndësishëm në ndihmën për Klinikën e Pediatrisë në QKUK, duke kontribuar përmes donacioneve për Repartin e Hemato-Onkologjisë dhe për rinovimin e Institutit të Patologjisë.
Ministri Vitia falënderoi Ambasadoren Boven dhe Drejtoreshën e “Care For Kosova Kids”, znj. Anke Gerrits, për përpjekjet e tyre në sigurimin e fondeve dhe donacioneve që mbështesin trajtimin e fëmijëve në Kosovë.
Në vizitën e tyre, Ministri Vitia dhe Ambasadorja Boven, të shoqëruar nga drejtori i ShSKUK dhe Drejtoresha e Klinikës së Pediatrisë, Violeta Uka, bashkë me znj. Gerrits, vizituan Repartin e Hemato-Onkologjisë dhe Institutin e Patologjisë në QKUK, duke vlerësuar përparimin në trajtimin e pacientëve.