1500 mamografi për kancerin e gjirit gjatë muajit rozë

Me rastin e përfundimit të Muajit të Ndërgjegjësimit për Kancerin e Gjirit, Ministria e Shëndetësisë organizoi mbrëmjen rozë.
“Gjatë muajit tetor, kemi kryer numër rekord të mamografisë prej 1500 sosh, ndërkaq 70 intervenime janë kryer në Klinikën e Kirurgjisë Plastike”, ka thënë me këtë rast ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.
Ai ka thënë se në bazë të përkujdesjes mjekësore, mbi 50% e pacientëve arrijnë të diagnostikohen në stadin e parë dhe të dytë. Ka përmendur investimet në Klinikën e Onkologjisë. Vitia falënderoi stafin shëndetësor në klinikat e QKUK-së, derisa i falënderoi edhe OJQ-të që kanë ndihmuar në këtë drejtim.
“Falënderoj edhe zonjën Nafije që përkundër sfidave gjeti forcë të luftojë edhe me sëmundjen dhe të jap maksimumin në mbështetjen e grave, falënderoj edhe presidenten Osmani që na ka ndihmuar me sigurimin e pakove onkologjike por edhe për përçimin e mesazhit”, tha ai.
Zëvendëskryeministrja, Emilija Rexhepi, tha se kur flasim për kancerin, përveç pacientëve të diagnostikuar me këtë sëmundje, përfshijmë edhe stafin mjekësor që i del në ndihmë.
“Çdo metodë e re diagnostike nuk është vetëm arritje medicinale por edhe përkrahje institucionale për t’i dalë në ndihmë njerëzve. Janë realizuar fushata dhe metoda diagnostike për t’i ndihmuar në diagnostikim të hershëm. E kemi përgjegjësi të luftojmë me kancerin që të kemi më pak pasoja”, tha ajo.
Drejtuesja e organizatës “Jeta Vita”, Nafije Latifi, tha se pavarësisht që muaji rozë po përfundon, aktivitetet nuk do të ndalen.